
Anu Prattipati uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë
E ngarkuara me punë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke theksuar partneritetin e fortë ndërmjet dy vendeve.
“Këtë vit, ndërsa Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë dhe Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e tyre, ne qëndrojmë së bashku teksa Kosova vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, ka deklaruar ajo përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Instagram.
Sipas saj, partneriteti i SHBA-së me Kosovën ka nisur edhe para shpalljes së pavarësisë, konkretisht në vitin 1996, kur Shtetet e Bashkuara hapën zyrën e tyre të parë në Prishtinë.
“Që atëherë, ne kemi qëndruar pranë Kosovës, duke mbështetur rrugëtimin e saj demokratik, i cili hedh themelet për të ardhmen. Ne presim me padurim zgjerimin e bashkëpunimit tonë në tregti, investime dhe forcimin e lidhjeve të sigurisë, në dobi të të dy vendeve tona. Ne mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj paqes ndërkombëtare dhe vazhdojmë të inkurajojmë një të ardhme shumetnike dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj”, ka theksuar Prattipati.


