Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj Paunoviqit për deklaratat për Kosovën

Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj Paunoviqit për deklaratat për Kosovën

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, për deklaratat e saj lidhur me spastrimin etnik në Kosovë.

Gërvalla ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do të heshtin ndaj gjuhës së urrejtjes dhe narrativave që cenojnë paqen dhe bashkëjetesën ndëretnike.

“Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit”, ka shkruar Gërvalla, raporton rtk.

Ajo ka deklaruar se deklaratat që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli “nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike”.

Sipas Gërvallës, kallëzimi penal është dorëzuar pas një deklarate të Paunoviqit në një intervistë televizive, ku ajo citohet të ketë thënë: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998”.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që të ndërmarrë veprime hetimore dhe të procedojë rastin më tej.

“Në një Republikë demokratike si Kosova, përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjes është sundimi i ligjit”, ka theksuar Gërvalla.

Share This