
Anglia e nis me fitore Botërorin 2026, mposht Kroacinë në një superndeshje
Anglia e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Kroacinë me rezultat 4-2 në ndeshjen e parë të Grupit L.
Përballja e zhvilluar të mërkurën mbrëma dhuroi spektakël të vërtetë, me ritëm të lartë, raste të shumta shënimi dhe plot gjashtë gola.
“Tre Luanët” kaluan në epërsi që në minutën e 10-të, kur Harry Kane realizoi nga pika e bardhë pas përsëritjes së penalltisë.
Kroacia reagoi në minutën e 36-të përmes Martin Baturinës, i cili shënoi një gol të bukur për të barazuar rezultatin në 1-1.
Megjithatë, anglezët rikthyen avantazhin pak para pushimit. Sërish në skenë doli Harry Kane, i cili në minutën e 42-të realizoi golin e dytë personal dhe të dytin për Anglinë.
Kur u duk se pjesa e parë do të mbyllej me epërsinë e anglezëve, Kroacia gjeti sërish rrugën e golit. Musa shënoi në minutën e fundit të 45-minutëshit të parë, duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me rezultat 2-2.
Edhe pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë. Vetëm dy minuta pas rifillimit të lojës, Jude Bellingham realizoi për 3-2, duke i dhënë avantazhin e tretë Anglisë.
Kroatët tentuan të reagojnë, por goditjen përfundimtare e dha Marcus Rashford, i cili në minutën e 85-të vulosi fitoren 4-2 të skuadrës së Thomas Tuchel.
Me këtë triumf, Anglia merr tre pikët e para në Grupin L dhe dërgon një mesazh të qartë për rivalët në garën për trofeun e Botërorit 2026.

