
Ambasadori britanik kritikon bllokadën politike në Kosovë: Po dëmton vendin, Haradinaj kërkon zhbllokim pas 8 gushtit
Situata e krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit, me mosformimin e institucioneve dhe bllokimin e seancës konstituive të Kuvendit, po ngjall shqetësim te diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar të martën pas takimit me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ku ka shprehur hapur kritikat ndaj ngërçit institucional.
“Bllokada politike e Kosovës po dëmton vendin. Sot u takova me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për të shkëmbyer pikëpamje mbi sigurimin e veprimeve vendimtare kur të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese, si dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve gjithëpërfshirëse komunale në tetor”, ka shkruar ambasadori Hargreaves në një postim në “Facebook”.
Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj ka ritheksuar nevojën urgjente për tejkalimin e bllokadës pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Kjo bllokadë duhet të zhbllokohet pas datës 8 gusht, kur pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Funksionimi i plotë i institucioneve është thelbësor për stabilitetin demokratik dhe orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar të AAK-së.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve të Kuvendit të ndërmarrin çfarëdo vendimi apo veprimi nga data 27 korrik deri më 8 gusht, kur pritet aktgjykimi i saj për ngërçin kushtetues që ka bllokuar formimin e institucioneve të reja.
Vëmendja politike dhe ndërkombëtare tani është përqendruar te data 8 gusht, e cila pritet të jetë vendimtare për të ardhmen politike të Kosovës.


