
Ambasada e SHBA-së përkujton viktimat e Reçakut: Ruajtja e së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor është thelbësore
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka përkujtuar viktimat e masakrës së Reçakut, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike dhe dinjitetit njerëzor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada amerikane ka njoftuar se zëvendësshefi në detyrë i misionit diplomatik, Josh Peterson, iu bashkua liderëve politikë, përfaqësuesve institucionalë dhe qytetarëve të Kosovës në ceremoninë përkujtimore për këtë ngjarje tragjike.
Në mesazhin e saj, Ambasada e SHBA-së e ka cilësuar masakrën e Reçakut si një akt tmerri të papërshkrueshëm që tronditi mbarë botën, duke theksuar se kujtimi i viktimave duhet të shërbejë si thirrje e vazhdueshme për drejtësi dhe për të mos harruar kurrë atë që ndodhi.
“Përkujtimi i Reçakut na rikujton domosdoshmërinë e mbrojtjes së së vërtetës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.

