Uzuni ‘çmendet’ në Kupën e Ligës, shënon tripletë për 34 minuta

Uzuni ‘çmendet’ në Kupën e Ligës, shënon tripletë për 34 minuta

Myrto Uzuni ka përjetuar një nga netët më të veçanta në karrierën e tij me fanellën e Austin FC, duke qenë protagonist absolut në fitoren ndaj Puebla në Kupën e Ligës.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi një tripletë brenda vetëm 34 minutave në pjesën e parë, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh të madh dhe duke vulosur një paraqitje spektakolare.

Uzuni e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke gjetur rrjetën që në minutën e katërt. Vetëm tri minuta më vonë, në të shtatën, ai realizoi edhe golin e dytë, ndërsa në minutën e 34-t kompletoi tripletën.

Goli i tretë ishte edhe më spektakolar, pasi Uzuni realizoi me një goditje fluturimthi nga hyrja e zonës, duke ngritur në këmbë tifozët e Austin.

Kjo ishte tripleta e parë e Uzunit me fanellën e klubit amerikan dhe pas ndeshjes sulmuesi shqiptar mori topin e ndeshjes si kujtim.

Edhe Austin FC i kushtoi vëmendje të veçantë paraqitjes së tij, duke publikuar në rrjetet sociale një video ku Uzuni shfaqet duke festuar në stilin e Erling Haaland, duke i rënë daulles.

Me këtë paraqitje, Uzuni konfirmoi edhe një herë rëndësinë që ka fituar në formacionin e skuadrës amerikane, duke u shndërruar në një prej pikave kryesore të repartit ofensiv.

Share This