Allegri: Milan-Juve sfidë e madhe, por jo vendimtare

Allegri: Milan-Juve sfidë e madhe, por jo vendimtare

Përballja mes AC Milan dhe Juventus pritet të jetë një test i fortë për të dy skuadrat në garën për Top 4 në Serie A.

Trajneri i kuqezinjve, Massimiliano Allegri, e cilësoi ndeshjen si të paparashikueshme, duke theksuar rëndësinë e detajeve në sfida të tilla.

“Çfarë lloj ndeshjeje pres? Futbolli është i paparashikueshëm. Ndoshta do të vijë një gol i hershëm dhe ndeshja do të vendoset,” u shpreh ai.

Allegri vuri në dukje peshën e këtij dueli në këtë fazë të sezonit, duke kujtuar objektivin e përbashkët të dy ekipeve.

“Është gjithmonë Milan-Juventus, një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, në një kohë kur si ne ashtu edhe ata po luftojmë për një vend në katër vendet e para.”

Tekniku italian foli edhe për kundërshtarin dhe ndikimin e trajnerit Luciano Spalletti.

“Ardhja e Spallettit u ka dhënë atyre diçka shtesë dhe po kalojnë një sezon të shkëlqyer”, theksoi Allegri.

Në fund, tekniku italian sqaroi se sfida ndaj Juventusit është e rëndësishme, por jo përcaktuese për fatin e sezonit.

“Nuk është një ndeshje vendimtare, matematikisht na duhen shtatë pikë ose më pak. Është një ndeshje e shkëlqyer që ia vlen ta fitojmë”, pohoi ai.

Ndeshja mes Milanit dhe Juventusit do të luhet të dielën në mbrëmje, nga ora 20:45, në stadiumin “San Siro”.

Share This