Albulena Haxhiu: Mitrovica ka folur qartë e pastër, PDK po do ta marrë rezultatin në tavolinë

Albulena Haxhiu: Mitrovica ka folur qartë e pastër, PDK po do ta marrë rezultatin në tavolinë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas raportimeve për dyshime mbi parregullsi në procesin zgjedhor në Mitrovicë, duke i mohuar ato dhe duke thënë se qyteti “ka folur qartë dhe pastër”.

Në reagimin e saj, Haxhiu ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) se po tenton ta përvetësojë rezultatin jashtë mënyrave demokratike.

“Vetë e ngritën vorbullën në Mitrovicë, duke dashur të sulmojnë njëkohësisht edhe Mitrovicën, edhe Albin Kurtin, për t’i akuzuar më pas se Mitrovica nuk i vlerëson dhe se nuk është bërë asgjë për të. Por vorbulla u kthye në bumerang. Rezultati u dëshmua qartë dy herë, më 12 tetor dhe më 9 nëntor”, ka shkruar ajo.

Sipas Haxhiut, PDK-ja dhe disa “hibridë politikë” po tentojnë që “ta marrin rezultatin në tavolinë”, pasi nuk kanë arritur të fitojnë as në terren dhe as në media.

“Mitrovica ka folur qartë dhe pastër, aq shumë sa asnjë insinuatë nuk mund t’u bëjë më punë”, ka përfunduar deputetja e Vetëvendosjes.

Share This