
Albert Krasniqi: Zgjidhja e vetme ligjore për buxhetin është formimi i një qeverie të përkohshme teknike
Analisti politik Albert Krasniqi ka shpjeguar se si, në rrethanat aktuale të bllokimit institucional, mund të miratohet buxheti vjetor në mënyrë të ligjshme.
Sipas tij, aktualisht Kuvendi nuk mund të zhvillojë asnjë seancë tjetër përveç asaj që thirret nga mandatarja e dekretuar nga Presidentja e vendit, dhe vetëm për votimin e Qeverisë së re.
“Asnjë seancë tjetër e jashtëzakonshme, me çfarëdo rendi dite tjetër, nuk mund të mbahet në këtë periudhë. Për rrjedhojë, nuk mund të themelohen komisione parlamentare, as të shqyrtohen apo miratohen projektligje që kërkojnë bashkëpunim të rregullt ndërmjet dy pushteteve – legjislativit dhe ekzekutivit,” ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se Qeveria aktuale në detyrë është e kufizuar në vendimmarrje dhe nuk ka të drejtë të propozojë as projektligjin për buxhetin, pasi një kompetencë e tillë i njihet vetëm një qeverie në dorëheqje, e jo asaj që ka përfunduar mandatin.
Sipas Krasniqit, zgjidhja e vetme kushtetuese dhe ligjore për miratimin e buxhetit është formimi i një qeverie të përkohshme teknike, me mandat të kufizuar vetëm për miratimin e Buxhetit Vjetor dhe Marrëveshjes për Planin e Rritjes së BE-së.
“Një qeveri e tillë do të siguronte funksionalitetin institucional dhe do të shmangte bllokimin financiar të shtetit, duke respektuar parimet e ndarjes së pushteteve dhe legjitimitetit demokratik,” theksoi ai, duke shtuar se kjo zgjidhje do të parandalonte abuzimet me fondet publike gjatë fushatave zgjedhore dhe zvarritjen e qëllimshme të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve.

