Aktivitetet festive për 113-vjetorin e Pavarësisë në Vlorë

Aktivitetet festive për 113-vjetorin e Pavarësisë në Vlorë

Festat kombëtare do të gjallërojnë jetën kulturoro-artistike të Vlorës, qytetit të flamurit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, publikoi të gjitha aktivitetet e kësaj fundjave festive, që do të zhvillohen në Vlorën e Pavarësisë.

“Këtë fundjavë festojmë në Vlorë, me një program tërësisht kuqezi. Bashkohuni me ne më 28 dhe 29 nëntor, në një atmosferë të veçantë që ndërthur historinë, traditën dhe artin shqiptar”, shkroi ministri Gonxhja, në rrjetet sociale.

Aktivitetet festive parashikojnë ceremoni, paradë, programe kushtuar rinisë si dhe koncert të madh festiv.

Mëngjesi i 28 nëntorit do të nisë në Vlorë me tri momente kryesore: në orën 9:00, te Shtëpia e Pavarësisë, do të zhvillohet një ceremoni që nderon aktin e shpalljes së pavarësisë; në orën 10:00, njerëzit do të zhvendosen tek Sheshi i Flamurit, ku do të mbahet ngritja zyrtare e flamurit, si momenti simbolik më i rëndësishëm i ditës; në orën 11:00 festa zhvendoset përgjatë bulevardit “Ismail Qemali” për Paradën e Madhe të Pavarësisë.

Në datën 28, në sheshin “Tre Rracat” në Vlorë, nga ora 11:00-13:00 do të zhvillohet koncert festiv me muzikë patriotike, valle tradicionale, interpretime polifonike, koreografi nga të rinjtë, do të ekspozohen piktura të nxënësve dhe aktivitete të tjera tematike.

Pasdite, në sheshin Pavarësia, do të këndojnë Tayna, Capital T, Fifi, Elita 5, Aurel Gjini, RockBand etj.

Nga orën 16:00-18:00, Cirku Kombëtar do të japë shfaqje në Teatrin “Petro Marko”, me ndërthurje të elementeve akrobatike.

Në orën 17:30, në një tjetër vendndodhje, Orkestra Simfonike do të interpretojë shoqëruar me projektim artistik mbi fasadën e Shtëpisë së Pavarësisë.

Ndërkohë panairi i produkteve lokale do të qëndrojë i hapur pranë Sheshit të Flamurit, e njëkohësisht ekspozita “Nëntori në Telajo” do të prezantojë punime të frymëzuara nga festa. /atsh/

Share This