Aktakuzë kundër tre personave për shitblerje të 12 kilogramëve narkotikë

Aktakuzë kundër tre personave për shitblerje të 12 kilogramëve narkotikë

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari të organizuar kriminale lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

Të pandehurit N.I., E.M., dhe H.H. ndodhen në paraburgim që nga muaji mars 2025, dhe ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 28 shkurt 2025, i pandehuri N.I. ka shitur rreth 972.30 gram marihuanë në këmbim të shumës 2,400 euro, pas një marrëveshjeje të arritur paraprakisht përmes telefonit me blerësin, në afërsi të fshatit Landovicë, Komuna e Prizrenit.

Ndërsa më 07 mars 2025, rreth orës 21:30, N.I. në bashkëpunim me E.M. dhe H.H., ka kryer një tjetër shitje narkotikësh me peshë totale prej 10,510.36 gram marihuanë (rreth 10.5 kilogramë), në vlerë prej 25,000 euro, po ashtu në afërsi të fshatit Landovicë. Të dyshuarit u kapën në flagrancë nga Policia e Kosovës, ndërkohë që H.H. arriti të arratiset, por u arrestua disa ditë më vonë.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së të pandehurit N.I., u sekuestruan 1,218.00 gram marihuana, një pistoletë M57, kalibër 7.62 mm, me karikator dhe 8 fishekë, 4 fishekë të tjerë dhe pajisje për pastrim armësh, dy peshore për matjen e substancave narkotike dhe 3,965 euro, të dyshuara si të fituara nga shitja e drogës

Prokurori i çështjes ka kërkuar nga Gjykata konfiskimin e substancës narkotike, armëve, pajisjeve ndihmëse dhe mjeteve financiare të fituara nga veprimtaria penale dhe sekuestrimin e dy veturave: një Audi dhe një Volkswagen Bora, të përdorura në kryerjen e veprës penale.

Pas ngritjes së aktakuzës, prokurori ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, raporton rtk.

Share This