
Abdixhiku publikon listën me 30 kandidatët e LDK-së nga Prishtina: “Ekip me integritet, dije dhe përvojë”
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar listën me 30 kandidatët për deputetë që vijnë nga pesë degët e Prishtinës, duke theksuar se ekipi i propozuar përfaqëson standardin më të lartë të përfaqësimit politik në Kryeqytet.
Abdixhiku tha se kandidatët janë zgjedhur mbi bazën e integritetit, dijes dhe përvojës, duke e cilësuar këtë ekip si më të përgatiturin dhe më të denjën në Kryeqytet.
“Prishtinë, zgjedh shpresën! Këta janë 30 kandidatët tanë të propozuar nga pesë degët e Kryeqytetit; nga Prishtina. Jam i bindur se LDK ka ekipin më përfaqësues, më të përgatitur dhe më të denjë sot në Kryeqytet. Jam krenar për secilin prej tyre. Jam i bindur në fitoren e tyre. Jam i sigurt se Prishtina do të flasë sërish e para”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai theksoi se lista është ndërtuar me profesionistë që njohin mirë sfidat e Kryeqytetit dhe politikën kombëtare, duke shtuar se angazhimi i tyre do të jetë në funksion të interesit të Republikës.
Një nga pikat që Abdixhiku vuri në pah është përfaqësimi i grave, ku 50% e listës përbëhet nga kandidate gra, të cilat ai i përshkroi si profesionale, lidere dhe aktiviste të rëndësishme të politikës së LDK-së.
“Gra jo si numër, por gra profesioniste, lidere, aktiviste dhe zëra të fuqishëm të politikës tonë pa konkurrencë! Ky është standardi ynë i përfaqësimit. Kjo është LDK-ja e Prishtina e kohës, qytetare, evropiane”, tha ai.
Me këtë publikim, LDK synon ta forcojë pozicionin e saj në kryeqytet dhe të dërgojë mesazhin e një liste të balancuar, të përgatitur dhe moderne në prag të zgjedhjeve.


