Abdixhiku në Fushë Kosovë: Unaza e Jashtme projekt jetik për qarkullimin dhe zhvillimin e qytetit

Abdixhiku në Fushë Kosovë: Unaza e Jashtme projekt jetik për qarkullimin dhe zhvillimin e qytetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim me qytetarë në Fushë Kosovë, ku ka shpalosur vizionin dhe zotimet e partisë për katër vitet e ardhshme, me theks të veçantë në zhvillimin infrastrukturor dhe cilësinë e jetës.

Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku theksoi rëndësinë e Unazës së Kryeqytetit, duke e cilësuar atë si një projekt jetik që lehtëson ndjeshëm qarkullimin edhe në komunën e Fushë Kosovës.

Sipas tij, infrastruktura nuk duhet parë vetëm si asfalt, por si faktor kyç për shëndetin, ambientin e pastër dhe perspektivën e familjeve dhe të rinjve.

“Fushë Kosova është një qytet që rritet çdo ditë me njerëz punëtorë, familje të reja dhe të rinj plot energji e ambicie. Prandaj, zhvillimi i qëndrueshëm, rendi dhe ambienti i pastër janë prioritete tona,” u shpreh Abdixhiku.

Ai foli gjithashtu për nevojën e ndërtimit të magjistraleve dhe autostradave që do ta lidhin Kosovën më shpejt, më sigurt dhe më drejtë, përmes një plani kombëtar të infrastrukturës që u shërben qytetarëve dhe bizneseve.

Në këtë tubim, Abdixhiku prezantoi edhe kandidatët e LDK-së nga Fushë Kosova, duke theksuar se komuna përfaqësohet nga dy kandidatë me përvojë dhe integritet.

Me numër 38 në listën zgjedhore është Besnik Osmani, i cili vlerësohet për njohuritë e thella në qeverisjen lokale dhe administratën publike. Osmani ka shërbyer për dekada në institucione kyçe të shtetit, përfshirë postet e Sekretarit të Përgjithshëm, Auditorit të Përgjithshëm dhe nënkryetarit të komunës.

Ndërsa me numër 78 garon Majlinda Shaqiri, magjistre e shkencave filologjike nga Universiteti i Prishtinës, shkrimtare, gazetare dhe aktiviste e përkushtuar.

Abdixhiku theksoi se vizioni i LDK-së synon ta kthejë planifikimin në vepra konkrete dhe premtimet në projekte reale, duke e vendosur zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve në qendër të politikave qeverisëse.

Share This