Abdixhiku kërkon rinumërim të plotë të votave: Do të ketë pasoja ligjore dhe përgjegjësi brenda LDK-së

Abdixhiku kërkon rinumërim të plotë të votave: Do të ketë pasoja ligjore dhe përgjegjësi brenda LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër lidhur me rinumërimin e votave, proces gjatë të cilit disa kandidatëve për deputetë u janë shtuar vota, ndërsa të tjerëve, siç u shpreh ai, u janë “avulluar”.

Sipas Abdixhikut, ky fenomen është vërejtur në të gjitha partitë politike, por ai ka theksuar se goditja ndaj kandidatëve të rinj dhe të pastër në politikë është veçanërisht shqetësuese. Ai ka përmendur rastin e kandidatit Paris Guri, duke thënë se votat e tij janë tjetërsuar nga persona që politikën e shohin si strehë interesi.

“Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se kjo që po ndodh në disa qytete nuk është rastësi, por rezistencë e atyre që, sipas tij, kanë gërryer partinë nga brenda dhe po përpiqen të ndalin reformën.

“Mbi të gjitha, goditet reforma. Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës sonë pesëvjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë”, ka theksuar ai.

Abdixhiku ka paralajmëruar pasoja jo vetëm ligjore, por edhe politike brenda LDK-së për ata që kanë manipuluar votën. Ai ka bërë të ditur se përgjegjësitë brenda partisë do të adresohen pas Kuvendit.

“Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, ka shkruar ai.

Po ashtu, kreu i LDK-së ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë, duke kërkuar dënime të rënda për këdo që ka cenuar votën e lirë.

“Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Në fund, ai ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet, për të hequr çdo dyshim mbi procesin.

“Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet. Jam i vetëdijshëm se LDK, krahasuar me të tjerët, ka më së paku shpërputhje dhe parregullsi. Por pikërisht sepse jemi kështu, kemi përgjegjësi të dyfishtë”, ka përfunduar Abdixhiku.

Share This