Abdixhiku: Fitoret ndërtohen në punën e përditshme, jo në ditën e zgjedhjeve

Abdixhiku: Fitoret ndërtohen në punën e përditshme, jo në ditën e zgjedhjeve

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, kanë zhvilluar sot takime me strukturat e partisë në Fushë Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për fushatën zgjedhore.

Gjatë takimit me aktivistë, këshilltarë dhe veprimtarë lokalë, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e organizimit dhe angazhimit në terren, duke e cilësuar këtë periudhë si vendimtare për mobilizimin politik.

“Sot takuam strukturat tona në Fushë Kosovë, si thirrje mobilizuese për fushatën elektorale që kemi para. Me aktivistë, këshilltarë e veprimtarë të palodhur, folëm për organizimin, përgjegjësinë dhe energjinë që kërkon ky moment. Sepse fitoret nuk ndërtohen në ditën e zgjedhjeve, por në punën e përditshme, derë më derë, zemër më zemër,” ka deklaruar Abdixhiku.

Ai shtoi se organizimi i strukturave lokale është kyç për suksesin elektoral, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm në terren.

“Fushë Kosova është gati. Tash, punë e angazhim, bashkë,” u shpreh ai.

Takimi në Fushë Kosovë vjen si pjesë e aktiviteteve të rregullta të LDK-së me degët e saj në nivel vendi, në prag të proceseve të ardhshme zgjedhore.

Share This