
Putin: Takimi me Zelensky mund të zhvillohet në Moskë
Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se është i gatshëm të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për sa kohë që ka përgatitje të mjaftueshme.
Putin deklaroi se Zelensky mund të vizitojë Moskën nëse ka perspektivë për një rezultat të favorshëm, gjatë një konference për shtyp në Pekin, e transmetuar në televizionin shtetëror, në përfundim të vizitës së tij katërditore në Kinë.
Deklaratat e tij vijnë ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Zelensky ka kërkuar herë pas here një takim me Putin për të negociuar drejtpërdrejt mbi një armëpushim në konfliktin që Kremlini nisi në 2022.
Por, Putin ka theksuar vazhdimisht se është i gatshëm të takohet vetëm nëse takimi është i mirëpërgatitur, ndërsa Rusia vazhdon sulmet e rënda gjatë negociatave.
Putin tha gjithashtu se ka diskutuar këtë çështje me presidentin amerikan Donald Trump.
“Donald më pyeti nëse ishte e mundur të organizohej një takim i tillë. I thashë, po, është e mundur. Në fund, Zelensky mund të vijë në Moskë nëse është gati, një takim i tillë do të zhvillohet”, tha Putin, duke iu drejtuar medias për herë të parë që nga samiti me Trump në Alaskë muajin e kaluar.
Ai gjithashtu vuri në dyshim legjitimitetin e Zelensky për të negociuar, duke përsëritur argumentin se mandati i rregullt i presidentit përfundoi vitin e kaluar, raporton rtk.
Zelensky vazhdon të drejtojë Ukrainën nën ligjin ushtarak, që i lejon atij të mbetet në detyrë edhe pas përfundimit të mandatit, në përputhje me kushtetutën.


