
Daja para duelit me Jagiellonian: Dinamo kërkon rezultat pozitiv në Poloni
Skuadra shqiptare, Dinamo City e ka përmbyllur stërvitjet e fundit në Bialystok përpara përballjes së rëndësishme ndaj Jagiellonias, në ndeshjen e parë të “Play-off”-it në Ligën e Konferencës.
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, vlerësoi kundërshtarin polak duke theksuar forcën dhe traditën e tyre në garat evropiane.
“E dimë që Jagiellonia performoi shumë mirë në Ligën e Konferencës sezonin e kaluar, duke u eliminuar vetëm në çerekfinale. Ata janë një nga klubet më të mira në Poloni, të aftë të luajnë bukur në sulm dhe të mbrohen mirë. Kjo falë punës së trajnerit, stafit dhe mbështetjes së tifozëve të tyre. Jemi të vetëdijshëm se do të përballemi me një kundërshtar shumë të fortë, ndaj duhet të jemi të përgatitur për sakrifica”, tha Daja.
Pas eliminimit të Hajduk Split në raundin e kaluar, Daja tha se ekipi nuk po e kthen më kokën pas, por është i fokusuar vetëm te kjo ndeshje.
“Ndeshja kundër Hajdukut është e parëndësishme tani. Çdo ndeshje është e ndryshme. Jagiellonia dhe Hajduku janë ekipe të forta, por nuk dua të flas për ndryshimet mes tyre. Po përqendrohemi vetëm te ndeshja në Bialystok, sepse ajo do të përcaktojë edhe sa tifozë do të kemi në krah në ndeshjen e kthimit në Tiranë. Besoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv”, ka theksuar strategu shqiptare.


