Kosova, Shqipëria dhe Kroacia planifikojnë blerje të përbashkët të armëve amerikane

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia planifikojnë blerje të përbashkët të armëve amerikane

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për ta konkretizuar në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakorduan në letër para rreth pesë muajsh, kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë.

Ministritë e Mbrojtjes nga Kosova dhe Shqipëria konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe të ekspertëve po punojnë për planin e zbatimit të deklaratës.

Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nga homologu në detyrë i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.

Ministri Maqedonci sqaroi se në këtë aspekt synohet të bëhet një porosi e vetme për blerje të kapaciteteve mbrojtëse nga të tria palët nënshkruese, me fondet kombëtare të secilit shtet.

Për shembull një sistem [armësh] që jemi të interesuar të tri shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt,” tha z. Maqedonci për Radion Evropa e Lirë.

Muaj më parë, qeveria kroate i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se kësaj nisme mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.Qëllim i bashkëpunimit, sipas qeverisë kroate, “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”. “Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, pati thënë qeveria kroate në mars të këtij viti.

Përveç bashkëpunimit në industrinë e armatimit, shtetet pritet të kryejnë stërvitje ushtarake dypalëshe dhe trepalëshe si dhe të bashkëpunojnë në rekrutimin e personelit duke rritur mundësitë e edukimit përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake.

Gjithashtu pritet të ketë një angazhim të përbashkët për të luftuar kërcënimet hibride “duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale”.

Parashihet që ndërmjet shteteve partnere në këtë marrëveshje të shkëmbehen informacione dhe shërbime inteligjente për të parandaluar sfidat e përbashkëta.

Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë. /REL

Share This