PAKISTAN – Shtatë të vdekur nga përmbytjet në veri të vendit

PAKISTAN – Shtatë të vdekur nga përmbytjet në veri të vendit

Të paktën shtatë persona humbën sot jetën nga përmbytjet e rrëmbyeshme në Pakistanin verior, tha një zyrtar, në një tjetër fatkeqësi që goditi rajonin e Himalajeve mes ndikimeve në rritje të ndryshimeve klimatike.

Viktimat ishin vullnetarë që punonin për të restauruar një kanal uji në një luginë malore në rajonin Gilgit-Baltistan kur pati përmbytje uji pas shpërthimit të një liqeni akullnajor, tha zyrtari lokal i shpëtimit Tahir Shah.

“Të paktën gjashtë të tjerë u plagosën dhe po marrin trajtim në spital”, shtoi ai.

Përmbytjet bllokuan një autostradë që lidh Pakistanin me Kinën fqinje dhe i prenë disa fshatra malore nga rrugët e furnizimit, sipas një zyrtari tjetër, Islam Uddin.

Ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë mijëra njerëz të bllokuar në fshatra të largëta ku bashkohen vargmalet Karakoram dhe Himalaje, tha Haroon Gull nga agjencia e fatkeqësive. /atsh/

Share This