Kosova me ekonomi në rritje: Kurti falënderon Gjermaninë për mbështetje

Kosova me ekonomi në rritje: Kurti falënderon Gjermaninë për mbështetje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, dhe ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, në një darkë të shtruar në rezidencën e ambasadorit.

Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me theks në ekonominë dhe investimet e huaja, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, procesin e integrimit evropian, si dhe aktualitetin politik në vend.

Kurti veçoi performancën pozitive ekonomike të Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit, rezultatet e politikave të punësimit dhe funksionimin e institucioneve shtetërore, duke përfshirë respektimin e të drejtave dhe mirëqenien e komuniteteve pakicë.

Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për fushatat dezinformuese dhe lajmet e rreme, që sipas tij shtrembërojnë të vërtetat dhe dëmtojnë shoqëritë dhe institucionet demokratike.

Kryeministri Kurti falënderoi Reiffenstuel për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës.

Share This