Bisedimet për Ukrainën, Trump dhe Putin do të takohen javën e ardhshme në Alaskë

Bisedimet për Ukrainën, Trump dhe Putin do të takohen javën e ardhshme në Alaskë

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të takohen në Alaskë të premten e ardhshme për të diskutuar të ardhmen e luftës në Ukrainë.

Trump njoftoi takimin e 15 gushtit në mediat sociale dhe më vonë u konfirmua nga një zëdhënës i Kremlinit, i cili tha se vendndodhja ishte “mjaft logjike” duke pasur parasysh afërsinë relative të Alaskës me Rusinë.

Nuk ka ende reagime nga Ukraina. Njoftimi i takimit erdhi vetëm disa orë pasi Trump kishte sinjalizuar se Ukraina mund të duhet të dorëzonte territor për t’i dhënë fund luftës.

Ju po shikoni territorin për të cilin është luftuar për tre vjet e gjysmë, shumë rusë kanë vdekur. Shumë ukrainas kanë vdekur. Është mjaft e ndërlikuar. Do të rikthejmë disa, disa të tjera do të ndërrohen. Do të ketë shkëmbime territoriale, që do të sjellin përfitime për të dyja palët“, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten.

Presidenti amerikan nuk dha detaje të mëtejshme se si do të ishte ky propozim, por sipas BBC, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të ndikojë te udhëheqësit evropianë që të pranojnë një marrëveshje që do t’i lejonte Rusisë të marrë të gjithë rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore dhe të mbajë Krimenë. Si pjesë e marrëveshjes së propozuar, ajo do të duhet të heqë dorë nga rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat i pushton pjesërisht.

Mbetet e paqartë nëse Ukraina dhe aleatët evropianë do të pajtoheshin për një marrëveshje të tillë. Presidenti ukrainas, Volodymuyr Zelensky ka refuzuar më parë çdo parakusht për koncesione territoriale.

Hera e fundit që një president amerikan u takua me Putinin ishte në vitin 2021, kur Joe Biden e takoi atë në një samit në Gjenevë, Zvicër.

Tre raunde bisedimesh të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë janë zhvilluar në Stamboll, por nuk kanë arritur ta afrojnë luftën më afër përfundimit dhe parakushtet ushtarake dhe politike të Moskës për paqe shihen nga Kievi dhe aleatët e tij si kapitullimi de facto i Ukrainës. /rtsh/

Share This