
Izraeli intensifikon operacionet ushtarake në Gaza, lëshon urdhra të rinj për evakuimin e civilëve
Të mërkurën, (6 gusht) ushtria izraelite lëshoi një tjetër urdhër evakuimi për banorët e qytetit jugor të Gazës, duke u kërkuar civilëve të largohen nga zona të caktuara për shkak të përshkallëzimit të operacioneve ushtarake.
Kabineti i sigurisë i Izraelit pritet të mblidhet të enjten në mbrëmje dhe të miratojë planet për një operacion të zgjeruar. Urdhri për evakuim është i fundit në dhjetëra njoftime të tilla që kanë zhvendosur shumicën dërrmuese të popullsisë së Gazës.
Urdhrat erdhën ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se çdo vendim mbi kontrollin e zgjeruar izraelit në Gaza varet nga Izraeli. “Sa i përket pjesës tjetër, nuk mund ta them me siguri. Kjo do të varet kryesisht nga Izraeli”, u tha ai gazetarëve të martën.
Shumë njerëz janë kthyer në qytetin e Gazës vetëm relativisht kohët e fundit, pas periudhave të gjata zhvendosjeje, për të gjetur shtëpitë e tyre të dëmtuara nga lufta.
Mes skenave të vazhdueshme të vuajtjeve të dëshpëruara në Gaza, ku zona të gjera janë shndërruar në fusha rrënojash nga sulmet e pandërprera izraelite, agjencia e mbrojtjes civile e Rripit të Gazës raportoi se 20 persona u vranë kur një kamion me ndihma u përmbys mbi një turmë njerëzish.
Incidenti ndodhi pranë kampit të refugjatëve Nuseirat, ndërsa kamioni po ecte në një rrugë të pasigurt që Izraeli e kishte bombarduar më parë.
Urdhri i ri për zhvendosje të detyruar për Qytetin e Gazës u mor ndërsa mediat izraelite raportuan vendosmërinë e dukshme të Netanyahut për të vazhduar me një luftë të zgjeruar pas konsultimeve me shefat e tij ushtarakë të martën.
Kritikët e planit thonë se çdo shtytje për pushtim të plotë, një kërkesë që po bëhet nga e djathta ekstreme e Izraelit do të vinte në rrezik jetën e pengjeve izraelite në Gaza, mund të zgjasë midis një viti dhe dy vjet për t’u arritur plotësisht dhe do të vinte në kurriz të izolimit diplomatik në rritje të vendit, me bashkësinë ndërkombëtare gjithnjë e më të tmerruar nga veprimet e Izraelit.
Midis atyre që folën kundër planit të mërkurën ishte edhe udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid. “I thashë Netanyahut se pushtimi i Gazës është një ide shumë e keqe. “Nuk e bën një veprim të tillë nëse shumica e popullit nuk është me ty”, tha Lapid pasi u takua me kryeministrin izraelit.
Kritikë të tjerë përfshijnë ish-udhëheqës të shërbimit të sigurisë së brendshme Shin Bet të Izraelit, agjencisë së spiunazhit Mossad dhe ushtrisë si dhe ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak.
Në një video të postuar në mediat sociale këtë javë, ata thanë se anëtarët e qeverisë së ekstremit të djathtë po e mbanin Izraelin “peng” duke e zgjatur konfliktin. /rtsh/


