
Dogana e Kosovës për herë të parë pjesë e maratonës në Nijmegen
Nga data 15 deri më 18 korrik 2025, Dogana e Kosovës mori pjesë për herë të parë në maratonën katërditore të ecjes në Nijmegen të Holandës, një ndër aktivitetet më të mëdha sportive të këtij lloji në botë.
Pjesëmarrësit ecën çdo ditë nga 40 kilometra, duke përfunduar gjithsej 160 kilometra në katër ditë të sfidës.
Ky aktivitet shënoi 65-vjetorin e pjesëmarrjes së organizatave doganore ndërkombëtare, ndërsa për Doganën e Kosovës përfshirja në këtë event përbën një hap të rëndësishëm në ndërtimin e bashkëpunimeve ndërinstitucionale me karakter sportiv dhe profesional.
Organizatori i maratonës e theksoi pjesëmarrjen e Kosovës si një zhvillim të ri e të mirëpritur, si në ceremoninë hapëse ashtu edhe në atë përmbyllëse, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj pjesëmarrjeje për forcimin e frymës ekipore, bashkëpunimit dhe përfaqësimit dinjitoz të institucioneve doganore në nivel ndërkombëtar.
Dogana e Kosovës garoi në ekip me Doganën e Holandës, anëtare e ECSA (European Customs Sports Association), duke kontribuar në ndërlidhjen ndërmjet kulturave dhe forcimin e rrjeteve profesionale në një atmosferë të shëndoshë sportive.
Në këtë maratonë morën pjesë gjithsej 47,000 garues nga 68 shtete të ndryshme, duke e bërë këtë aktivitet një platformë unike për promovimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërkombëtar.

