
Tërmeti 7.4 ballë godet Rusinë, jepet alarm për cunami
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 të shkallës Rihter ka goditur rajonin lindor të Rusisë, pranë Gadishullit Kamchatka, duke nxitur paralajmërime për cunami në disa pjesë të bregut rus dhe në ishujt Hawai.
Sipas të dhënave të para, epiqendra e tërmetit ndodhej në det, pranë Kamchatkës – një nga zonat më aktive sizmikisht dhe vullkanikisht në botë. Qyteti Petropavlovsk-Kamchatsky, me rreth 180,000 banorë, ka përjetuar lëkundje të forta të tokës, ndërkohë që tërmeti është pasuar nga disa paslëkundje të vazhdueshme.
Pas tërmetit, Qendra e Paralajmërimit për Cunami e Paqësorit lëshoi një alarm për cunami që përfshinte edhe ishujt Hawai. Megjithatë, Qendra Kombëtare e Paralajmërimit për Cunami e SHBA-së e anuloi alarmin pak më vonë, duke vlerësuar se rreziku kishte kaluar.
Nga ana tjetër, Ministria Ruse e Emergjencave ka paralajmëruar se një cunam i mundshëm deri në 60 centimetra mund të arrijë në Ishujt Komandant, që ndodhen në afërsi të epiqendrës.
Gadishulli Kamchatka shtrihet përgjatë të ashtuquajturës Unaza e Zjarrit të Paqësorit, një brez sizmik që përfshin vullkane dhe tërmete të shpeshta. Pozicioni i tij bregdetar e bën këtë rajon veçanërisht të ndjeshëm ndaj cunamit, pas çdo tërmeti të fortë nënujore.


