Asllani rinovon me Hoffenheimin deri në vitin 2029, gati për Bundesligë

Asllani rinovon me Hoffenheimin deri në vitin 2029, gati për Bundesligë

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, ka nënshkruar kontratë të re me skuadrën elitare gjermane  Hoffenheim, duke zgjatur angazhimin e tij deri në verën e vitit 2029.

Lajmi është zyrtarizuar të dielën nga klubi gjerman duke konfirmuar që qendërsulmuesi i talentuar do të jetë pjesë e kësaj skuadre edhe për disa sezone.

Asllani, i cili edicionin e kaluar luajti i huazuar tek Elversberg në Bundesliga 2, shkëlqeu me paraqitjet e tij, duke realizuar 18 gola dhe regjistruar nëntë asistime në sezonin 2023/24.

Pas zyrtarizimit të kontratës së re, 22-vjeçari u shpreh entuziast për mundësinë që do të ketë në elitën e futbollit gjerman.

“Jam i kënaqur që kam zgjatur kontratën time me Hoffenheimin. Jam shumë i motivuar dhe tani dua të provoj veten në Bundesligë. E njoh klubin, shumë nga lojtarët në skuadër dhe të gjithë stafin e Hoffenheimit,” deklaroi Asllani.

Kjo marrëveshje tregon besimin që klubi gjerman ka në potencialin e Asllanit, i cili pritet të jetë një nga emrat premtues të sezonit të ri në Bundesligë.

Share This