
Drenica-Dukagjini, kështu mbyllet ndeshja
Drenica dhe Dukagjini kanë ndarë pikët duke luajtur baras 2-2, të dielën në kuadër të javës së 23-të në elitën e futbollit kosovar.
Të dy skuadrat vazhdojnë serinë e gjatë pa fitore. Drenica tashmë ka gjashtë ndeshje radhazi pa triumf, ndërsa Dukagjini e ka zgjatur në tetë takime.
Mysafirët nga Klina kaluan të parët në epërsi në minutën e 30-të me golin e Mërgim Pefqeli nga penalltia. Pefqeli realizoi në tentativën e dytë, pasi vetëm një minutë më herët kishte humbur një tjetër penallti.
Megjithatë, epërsia e Dukagjinit zgjati vetëm shtatë minuta. Kreshnik Uka barazoi rezultatin në 1:1 pas një aksioni nga afërsia.
Në pjesën e dytë, Dukagjini riktheu epërsinë me golin e Hekuran Berisha, por vendasit reaguan sërish dhe arritën të barazojnë përfundimisht rezultatin 2:2 me anë të Genc Hamiti.
Pas këtij barazimi, Drenica mbetet në vendin e fundit në tabelë me 22 pikë, ndërsa Dukagjini renditet në pozitën e pestë me 33 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Drenica do të luajë në udhëtim ndaj Gjilanit, ndërsa Dukagjini do të jetë nikoqir i Llapit.


