
Atletico Madrid në garë për Martinez, sfidon Man United-in dhe klubet saudite
Atletico Madrid raportohet se është futur fuqishëm në garë për të siguruar shërbimet e portierit të Aston Villës, Emiliano Martinez, duke synuar ta mposhtë konkurrencën nga Manchester United dhe disa klube të Ligës Saudite.
32-vjeçari argjentinas është lidhur vazhdimisht me një kalim te “Djajtë e Kuq”, në një kohë kur vazhdojnë dilemat rreth të ardhmes dhe formës së Andre Onana-s në “Old Trafford”.
Martinez raportohet se është i prirë të largohet nga Aston Villa pas pesë vitesh, pasi dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve, objektiv që klubi anglez nuk ka arritur ta përmbushë për të dytin sezon radhazi.
Sipas raportimit të “The Telegraph”, Atletico Madrid po monitoron situatën dhe pritet të bëjë një lëvizje nëse Jan Oblak vendos të largohet.
Portieri slloven është një legjendë e vërtetë për “Los Colchoneros”, duke kaluar një dekadë në klub, me shumë trofe të fituar dhe dy finale të Ligës së Kampionëve.
Për momentin, nuk ka nxitim nga ana e Martinez për të marrë një vendim, ndërsa sezoni i ri është ende larg.
Kujtojmë se kampioni i botës me Argjentinën e mbylli sezonin e kaluar me 16 ndeshje pa pësuar gol në 53 paraqitje në të gjitha kompeticionet.