Lushaku i kundërpërgjigjet Kurtit: Është koha të lëshosh rrugë meqë s’po mund ta shohësh Kuvendin si shtëpinë tënde

Lushaku i kundërpërgjigjet Kurtit: Është koha të lëshosh rrugë meqë s’po mund ta shohësh Kuvendin si shtëpinë tënde

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili duke iu referuar deputetëve të partive që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar, ka thënë se ata janë nomadë meqë “nuk po dëshirojnë shtëpi t tyre”.

Lushaku ka pyetur se kush është deputetë i opozitës në këtë legjislaturë, ndërsa tha se Kurti shtëpinë e Kuvendit e ka gjuajtur me molotovë dikur, ndërsa sot po synon ta uzurpojë.

“Deputeti Kurti i paska quajtur nomadë deputetët e opozitës. Po kush është opozita, deputet Kurti? A mos po flet për veten? Deputetët kanë shtëpi, atë shtëpi që ti dikur e gjuaje me molotov, atë shtëpi që sot po përpiqesh ta uzurposh, duke tentuar të imponosh vullnetin përmes shkeljes së procedurave dhe cenimit të demokracisë. Është koha, deputet Kurti, ta kuptosh edhe ti se Kuvendi është shtëpia jonë dhe nuk duhet të sulmohet as me fyerje, as me molotov e as me përpjekje për imponim vullneti. Meqë nuk po mundesh, është koha të lëshosh rrugë”, ka thënë ajo.

Deputetët e partive të tjera të cilët s’po pranojnë të shkohet me votim të fshehtë për votimin e kryekuvendarit, Kurti i ka quajtur “nomadikë”, meqë sipas tij, ata nuk po duan të kenë shtëpi.

“Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Kuvendi, Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve”, ka thënë Kurti.

Share This