Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” tejkalon 4.3 milionë pasagjerë, dëshmi e rritjes së vazhdueshme

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” tejkalon 4.3 milionë pasagjerë, dëshmi e rritjes së vazhdueshme

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” vazhdon rritjen e qëndrueshme në numër pasagjerësh dhe zgjerimin e rrjetit të destinacioneve ajrore.

Ky aeroport, që tashmë është kthyer në një nyje të rëndësishme të transportit ajror në rajon, ka arritur një tjetër moment historik: mbi 4 milion e 300 mijë pasagjerë kanë udhëtuar përmes tij. Ky është një tregues i qartë i besimit të qytetarëve dhe vizitorëve ndaj shërbimeve që ofron Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Rritja e vazhdueshme nuk ka të bëjë vetëm me statistikat – ajo është rezultat i përkushtimit për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve, krijimit të kushteve moderne për udhëtarët dhe zgjerimit të listës së destinacioneve që i përgjigjen kërkesave reale të tregut.

Sot, udhëtarët nga dhe drejt Kosovës kanë qasje në një gamë të gjerë linjash ajrore drejt qendrave kryesore në Evropë dhe më gjerë. Kjo e bën aeroportin jo vetëm një pikë nisjeje dhe kthimi për diasporën dhe qytetarët vendas, por edhe një portë të rëndësishme për vizitorët ndërkombëtarë, investitorët dhe turistët.

Në këtë drejtim, Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” po dëshmon se është shumë më tepër sesa një infrastrukturë transporti – është një faktor kyç në zhvillimin ekonomik dhe lidhjen ndërkombëtare të Kosovës.

Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Gjermania është e para e pasuar nga Zvicra, Turqia, Austria dhe Britania e madhe. Prej kompanive ajrore, prin GP Aviation me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga Chair Airlines, Easyjet, Eurowings, Condor Airlines, Pegasus Airlines e kështu me radhë.

Share This