
Refuzohet padia ndaj ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar padinë kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari, i angazhuar nga grupi “Asnjë cent më shumë”. Ai ka bërë të ditur se tani do të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj këtij vendimi.
“Kam pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin refuzohet kërkesa për sigurimin e Padisë tonë ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Tashmë, gati është Ankesa për Gjykatën e Apelit ndaj këtij Aktvendimi. Beteja ligjore kundër vendimit të ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë vazhdon!” ka shkruar Bajraktari në Facebook, raporton rtk.
Zyra e Rregullatorit për Energji është paditur nga grupi “Asnjë cent më shumë” pas vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16.1 për qind, ku kërkohej anulimi i këtij vendimi, duke u konsideruar i kundërligjshëm.