
Newcastle mposht Chelsea, afër rikthimit në Champions League
Newcastle United ka bërë një hap të madh drejt rikthimit në Champions League, duke e mposhtur Chelsea me rezultat 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në “St. James’ Park”.
Me këtë fitore të gjashtë radhazi si vendas në Premier League, Newcastle ngjitet në vendin e tretë të renditjes dhe forcon pozitat në garën për top katërshe.
Sandro Tonali e ka hapur serinë e golave që në minutën e dytë, duke finalizuar me një goditje të menjëhershme pas asistimit nga Jacob Murphy. Vendasit ushtruan presion të madh në minutat e para, me Harvey Barnes, Bruno Guimaraes dhe Alexander Isak që rrezikuan portën e Chelsea disa herë.
Për Chelsea, i vetmi rrezik në pjesën e parë ka ardhur nga Cole Palmer dhe Moises Caicedo, mirëpo përpjekjet e tyre nuk kanë dhënë rezultat. Momenti vendimtar ka ardhur në minutën e tridhjetë e gjashtë, kur sulmuesi Nicolas Jackson është ndëshkuar fillimisht me karton të verdhë, por pas ndërhyrjes së VAR, është përjashtuar me të kuq për një goditje me bërryl ndaj Sven Botman. Ky përjashtim e ka lënë Chelsea me një lojtar më pak dhe me një mungesë të madhe.
Në pjesën e dytë loja ka qenë më e haupur, por rastet e pastra kanë qenë të pakta. Alexander Isak e ka humbur një mundësi të mirë, ndërsa portieri Nick Pope ka reaguar në mënyrë fantastike ndaj një goditje të rrezikshme të Marc Cucurellas. Megjithatë, ka qenë Bruno Guimaraes ai që në minutat e fundit ka shënuar golin e sigurisë, pas një devijimi të topit nga Malo Gusto.
Me këtë fitore, Newcastle e mbyll javën në formë të lartë dhe përforcon synimin për kualifikim në Champions League. Për Chelsea, kjo humbje i ndërpret serinë prej pesë fitoreve në të gjitha garat, ndërsa rrezikon të bjerë jashtë pesëshes së parë nëse Nottingham Forest arrin të fitojë ndaj Leicester.