
Hamza: PDK e gatshme për takim gjithëpërfshirës për zhbllokimin e krizës politike
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai përfaqëson është e gatshme të marrë pjesë në një takim gjithëpërfshirës, të thirrur nga Presidentja e Republikës, për të gjetur një zgjidhje ndaj bllokadës aktuale politike.
Deklarata e Hamzës erdhi pas një mbledhjeje të mbajtur në selinë e PDK-së, ku ai theksoi se kjo parti tashmë ka kërkuar një takim të tillë nga presidentja.
“Komunikata e përmbledh krejt qëndrimet e kryesisë së PDK-së dhe shpjegon më së mire ato se çka PDK për çka qëndron edhe çka kërkon. Mbi të gjitha ne jemi të interesuar që të mos kemi vakum institucional, vendi të ketë institucione edhe normalisht që të trajtohen prioritete edhe temat të cilat i ka vendi”, tha Hamza në një përgjigje të shkurtër për gazetarët.
Në komunikatën e shpërndarë për media, PDK ka nënvizuar se roli i Presidentes së Republikës është thelbësor në zhbllokimin e situatës politike dhe në institucionalizimin e vendit, duke e cilësuar këtë moment si kritik për stabilitetin dhe funksionalitetin demokratik të Kosovës.