Hoti pas zgjedhjeve: Rezultati nuk e pasqyron potencialin e LDK-së, koha për unitet dhe ringritje

Hoti pas zgjedhjeve: Rezultati nuk e pasqyron potencialin e LDK-së, koha për unitet dhe ringritje

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka falënderuar qytetarët dhe anëtarët e partisë për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se rezultati i arritur nuk reflekton potencialin e plotë të LDK-së.

Në një postim në “Facebook”, Hoti vlerësoi angazhimin dhe sakrificën e strukturave të partisë në të gjithë Kosovën dhe shprehu mirënjohje të veçantë për kryetarin Lumir Abdixhikun, kryesinë, degët, nëndegët dhe anëtarësinë besnike të LDK-së.

“Ky besim dëshmon se anëtarësia dhe elektorati i LDK-së kërkojnë forcim të vlerave themeltare mbi të cilat është ndërtuar kjo parti: demokracinë e brendshme, guximin politik, vizionin shtetformues dhe orientimin euro-atlantik. Këto vlera nuk janë kujtim i së kaluarës – ato janë domosdoshmëri për të ardhmen dhe për kthimin e LDK-së në vendin që i takon,” tha Hoti.

Ai po ashtu u zotua se do të vazhdojë të angazhohet për fuqizimin e demokracisë, shtetësisë dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës, në bashkëpunim me kolegët e tij brenda LDK-së.

“Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës! Zoti e bekoftë popullin tonë!” përfundoi Hoti.

Share This