Zelensky: Marrëveshja për mineralet me SHBA-në, historike

Zelensky: Marrëveshja për mineralet me SHBA-në, historike

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti marrëveshjen për lëndët e para midis SHBA-së dhe vendit të tij “historike”.

“Ky është rezultati i parë i prekshëm i atij takimi në Vatikan, duke e bërë atë vërtet historik”, tha sot Zelensky në një deklaratë.

Ai iu referua bisedimeve që zhvilloi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump përpara funeralit të Papa Françeskut të shtunën.

Marrëveshja do të ratifikohet së shpejti nga parlamenti ukrainas.

Marrëveshja parashikon t’i japë SHBA-së akses në burime të vlefshme natyrore në mënyrë që ta mbajë Uashingtonin si një aleat në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus, në shkallë të plotë.

“Marrëveshja ka ndryshuar ndjeshëm gjatë procesit të përgatitjes. Tani është vërtet një partneritet i barabartë – një partneritet që krijon mundësi për investime të konsiderueshme në Ukrainë, si dhe modernizim të konsiderueshëm të industrive të Ukrainës dhe, po aq e rëndësishme, praktikave të saj ligjore”, tha Zelensky në fjalimin e tij.

“Marrëveshja nuk parashikon borxhe. Ajo përcakton krijimin e një Fondi Rindërtimi që do të investojë dhe do të gjenerojë fitime në Ukrainë. Kjo do të thotë punë e përbashkët me Amerikën, bazuar në kushte të drejta, duke i lejuar si Ukrainës ashtu edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat na mbështesin në mbrojtjen tonë, të fitojnë para në partneritet”, tha presidenti ukrainas. /atsh/

Share This