
Zelensky kërkon nga Rusia t’i kthejë fëmijët ukrainas
Vladyslav Rudenko ishte 16-vjeçar kur u kap nga forcat ruse dhe u mbajt për nëntë muaj në kampet për fëmijë në Krimenë dhe Hersonin e pushtuar nga Rusia.
Për dallim nga 20.000 të rinj të tjerë ukrainas, Rudenko u shpëtua nga organizata joqeveritare “Save Ukraine” dhe u kthye në territorin e kontrolluar nga Ukraina pas nëntë muajsh në robëri.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë të tjerë ukrainas, thonë në qendër të vëmendjes së tyre tani është fati i atyre mijëra fëmijëve, shumë prej të cilëve mbesin në zonat e pushtuara nga Rusia, në ato që Moska i quan “qendra rehabilitimi”.
“Ky krim duhet të hetohet plotësisht dhe përgjegjësit duhet të japin llogari”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha gjatë fundjavës, si pjesë e nisjes së fushatës #ChildrenAreNonNegotiable.
“Paqja e drejtë dhe e qëndrueshme kërkon kthimin në shtëpi të të gjithë këtyre fëmijëve ukrainas”, shtoi ai.
Studimi gjeti se ky proces përfshin “riarsimim”, apo “promovim i mesazheve ose ideve kulturore, historike, shoqërore dhe patriotike që i shërbejnë interesave politike” të dyja regjimeve.
Sipas raportit, stërvitje ushtarake, përfshirë nga trupa të Ministrisë së Brendshme, janë zhvilluar me “të paktën gjashtë grupe fëmijësh”.
Rudenko i tha Shërbimit ukrainas të REL-it në fillim të këtij muaji se gjatë kohës sa ishte mbajtur nga autoritetet ruse, rutina e tij e përditshme kishte orientim të qartë.
“Zgjoheshim me himnin rus, ngrinim flamurin, dhe bënim ushtrime. Pas mëngjesit, na tregonin çfarë kishte ndodhur gjatë natës në Rusi. Fjalë për fjalë. Pastaj shikonim filma rusë”, tha ai, duke përshkruar regjimin gjatë qëndrimit në kampe.
Sipas Laboratorit Humanitar të Yale, më shumë se 8.400 fëmijë nga Ukraina janë zhvendosur sistematikisht në të paktën 57 qendra: 13 qendra në Bjellorusi dhe 43 qendra në Rusi apo në territore të pushtuara nga Rusia.
Sipas portalit zyrtar të Qeverisë ukrainase childrenofëar.gov.ua, numri është shumë më i madh – rreth 20.000 – ndërsa vetëm 1.300 fëmijë janë kthyer me sukses. /rel