
MKRS akuzon Komunën e Prishtinës për shkelje ligjore në `Xhorxh Bush`
Ka vazhduar debati për ndërhyrjet në zonën e mbrojtur kulturore në Prishtinë. Ministria e Kulturës ka akuzuar sot Komunën e Prishtinës për veprime të paligjshme në projektin për rrugën “Xhorxh Bush”, ndërsa ka paralajmëruar pasoja ligjore dhe financiare.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar sot me një sqarim për opinionin publik, duke akuzuar Komunën e Prishtinës se ka nisur punimet në rrugën “Xhorxh Bush” pa lejen e nevojshme nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), duke shkelur hapur Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
Sipas MKRS-së, punimet në zonën e mbrojtur janë ndaluar nga inspektorati, ndërsa kërkesa për leje është dorëzuar vetëm pas fillimit të projektit. Ministria thekson se projekti i komunës është kthyer me rekomandime konkrete për përputhje me kriteret e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, por në vend të harmonizimit, Komuna ka zgjedhur dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik.
Ndërhyrjet, sipas MKRS-së, nuk kufizohen vetëm në asfalt dhe infrastrukturë, por përfshijnë edhe ndërtimin e lokaleve afariste pranë hyrjes së Rektoratit të UP-së, gjë që, sipas ligjit, cenon pamjen dhe rëndësinë kulturore të këtij monumenti të mbrojtur, raporton rtk.
Ministria paralajmëron se do të vazhdojë të paraqesë rastet në organet e drejtësisë dhe i bën thirrje këtyre institucioneve që t’i trajtojnë me prioritet kallëzimet për shkeljet ligjore të Komunës së Prishtinës.