Osmani, deputetëve: Kushtetuta ju detyron të jetësoni e jo të bllokoni

Osmani, deputetëve: Kushtetuta ju detyron të jetësoni e jo të bllokoni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia ka kthyer letrën kryesuesit të seancës së djeshme konstituive për konstituimin e institucioneve të reja të vendit, Avni Dehari.

“Në përmbushje të përgjegjësive kushtetuese si Presidente e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, i përgjigjem kërkesës suaj të pranuar sot në Presidencën e Republikës. Si pikënisje, konsideroj se duhet pasur parasysh, se duke u bazuar në frymën e Kushtetutës, dispozitat që ndërlidhen me konstituimin e institucioneve shtetërore duhet të interpretohen në mënyrë që ta mundësojnë — dhe jo ta pengojnë — themelimin dhe funksionimin kushtetues të tyre”,, thuhet në letrën e Osmanit.

Sipasa saj, një parim i tillë është mishëruar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila në Aktgjykimin e saj në Rastin Nr. KO72120, ndër të tjera përcakton se: “struktura e normave kushtetuese që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohen në atë mënyrë që të jetësojnë dhe jo të bllokojnë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve përkatëse”.

‘Në të njëjtin Aktgjykim, Gjykata gjithashtu sqaron se: “asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, duke theksuar gjithashtu se qëllimi i Kushtetutës sonë është themelimi i shpejtë i institucioneve.  Në Aktgjykimin në Rastin Nr. KO72720, Gjykata Kushtetuese qartazi thekson se: “të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e mveshur me fuqi ose autorizime publike, duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për Republikën e Kosovës”, tha ajo, raporton rtk.

Share This