Rrëzohet rekomandimi i sekretariatit të KQZ-së: Nuk rinumërohen të gjitha fletëvotimet me postë

Rrëzohet rekomandimi i sekretariatit të KQZ-së: Nuk rinumërohen të gjitha fletëvotimet me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka mbështetur rekomandimin e sekretariatit të KQZ-së për të rinumëruar të gjitha votat me postë.

Ky rekomandim ka ardhur nga Besnik Buzhala, u.d i udhëheqësit të sekretariatit në KQZ.

Pro këtij rekomandimi kanë votuar anëtarët e LV-së në KQZ dhe kryetari Kreshnik Radoniqi. Anëtarët e PDK-së dhe AAK-së nuk kanë marrë pjesë në votim.

Si rezultat, nuk do të rinumërohen të gjitha fletëvotimet me postë.

Kjo ka ardhur pasi PZAP-i ka marrë vendim të pranohen si të vlefshme disa fletëvotime që nuk ishin të printuara mirë.

“PZAP i ka përfshirë 15 fletëvotime të pavlefshme, që të bëhen të vlefshme. Këto përbëjnë në 11 vendvotime, janë në 6 komuna. Këto kuti të votimit i përkasin këtyre gjashtë komunave. Duke u mbështetur në vendimin e PZAP-it, sekretariati rekomandon që të hapen të gjitha kutitë përmes postës. Bëhet fjalë për 1 631 fletëvotime të pavlefshme. Këto 1 631 përfshijnë 177 vendovtime nga 187 gjithsej. Rekomandojmë që të urdhërojë të hapen këto 177 kuti në mënyrë që të vlerësohen fletëvotimet e pavlefshme në raport me vendimin e PZAP-së”, ka thënë Buzhala.

Kërkesën/rekomandimin e kanë refuzuar edhe PDK-ja edhe AAK-ja. Anëtari Ilir Gashi që vjen nga PDK-ja ka thënë se kjo rekomandim ka për synim shtyrjen e procesit zgjedhor.

Kurse Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi kanë insistuar se duhet të rinumërohen të gjitha votat me postë. Madje, të dy kanë sulmuar ashpër mediet.

“Ne kemi rekomandim nga sekretariati, nuk po hyjë në dyshime për çka e ka bërë si e ka bërë. Rekomandimi ishte i detajizuar. E ftoj prokurorinë që rastet e tilla jo vetëm këto, bile këto hiç e hiç, ka me mijëra. Procesi është i lënduar. Do të hapet çështje. Organet duhet të ndërmarrin diçka. Po përputhet gjuha e OJQ-ve dhe disa mediave, që janë patericë e partive. Kam drejt me interpretuar çdo vendim të çdo gjykate, e kam obligim me i zbatuar. Nuk është as Bibël as Kuran, me interpretuar e komentuar çdo gjë. Veç gjema një rast që i kam pengu dikujt”, ka thënë Kurteshi.

“Këta vetë e kanë penguar punën brenda përmes vëzhguesve për me iu shmang të vërtetave. Nuk mundesh me thanë që nuk keni bërë presion me i shpall të pavlefshme këto. Kemi heshtur, jemi munduar me ec procesi pastër në mënyrë që edhe PZAP-i me thënë fjalën e vetë. Ato mediumet e juaja që i paguni qysh i paguni nuk iu kanë qit juve, po iu kanë vërsule dy kolegëve të juaj edhe me lejen e juaj, bile me videot që kanë siguruar vëzhguesit e juaj”, ka thënë Alban Krasniqi.

Share This