
Kurti: Bajram Qerkini ishte simbol i forcës dhe durimit të prindit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Qerkini, me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit të tyre, Bajram Qerkini.
Kryeministri shprehu dhimbjen e tij dhe vlerësoi angazhimin e Bajram Qerkinit në kërkimin e së vërtetës për të zhdukurit gjatë luftës.
“Bajram Qerkini ishte simbol i forcës dhe durimit të prindit. Si Kryetar i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, ai e shndërroi dhimbjen e tij personale në kauzë të përbashkët. Ai u angazhua edhe në nivel institucional, si përfaqësues i shoqatave të familjarëve në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur”, thuhet në telegram, raporton rtk.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij, ai u shprehu ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe që ndanë rrugëtimin me të.