
Liqenet akullnajore të Lukovës, një atraksion i jashtëzakonshëm dimëror në Pogradec
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka publikuar sot në rrjetet sociale pame nga liqenet akullnajore të Lukovës, që ofrojnë pamje mahnitëse gjatë stinës së dimrit. Liqenet akullnajore të Lukovës janë kthyer në atraksion turistik kryesisht për të rinjtë.
Në postimin e saj, AKZM sqaron se “ky monument natyre mund të vizitohet duke ndjekur një shteg të gjatë rreth 7 km, që nis nga fshati Bishnicë në Pogradec”.
“Liqenet kanë një sipërfaqe prej rreth 10 ha dhe janë të rrethuara nga një kurorë pyjesh, të cilat përbëhen kryesisht nga ahu dhe bredhi. Ky është një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar natyrën dhe për të shijuar një peizazh të veçantë në sezonin e dimrit”, përfundon postimi.
Të dy liqenet me origjinë akullnajore, ndodhen në lartsitë 1851 dhe 1795 metra mbi nivelin e detit dhe janë zonë e mbrojtur e kategorisë III, nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe Burimeve Natyrore (IUCN).
Ato janë të vendosura në një cirk të madh akullnajor dhe që formojnë një ekosistem interesant të liqenit alpin.
Rruga automobilistike Pogradec-Bishnicë është 61 km dhe përshkohet për 2 orë e 30 min. Ndërsa shtegu për ecje Bishnicë-Liqenet e Lukovës, ka një gjatësi prej 7,3 km, dhe koha drejt mbërritjes në destinacion është rreth 3 orë e 30 min. Një kurorë pyjesh të përzierë ahu dhe bredhi, me lartësi deri në 22 m dhe me diametër të trungut 30 cm, rrethojnë këto dy liqene.
Kjo zonë ofron jo vetëm turizëm natyror, por edhe kulturor, pasi gjatë rrugëtimit për në liqenet e Lukovës, mund të vizitohet edhe “Ura e Golikut”, gjurmët e vjetra të rrugës “Egnatia” e shekullit XVIII. Në krah ndodhen edhe Varret e Selcës, të cilat i përkasin shek. IV-III para lindjes së Krishtit, unikale në llojin e tyre. /atsh/