Rama: 1 milion vizitorë nga Italia vitin e kaluar, ka ndryshuar perceptimi i tyre për shqiptarët

Rama: 1 milion vizitorë nga Italia vitin e kaluar, ka ndryshuar perceptimi i tyre për shqiptarët

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se gjatë vitit 2024 Shqipërinë e kanë vizituar mbi 1 milion turistë italianë.

Në podkastin “Flasim” ku i ftuar ishte balerini i njohur shqiptar Ilir Shaqiri, i cili ka ndërtuar jetën dhe karrierën mes Shqipërisë dhe Italisë, kryeministri u ndal te interesi në rritje i italianëve për të vizituar Shqipërinë, madje edhe për të blerë banesa këtu dhe për të jetuar.

“Vjet kemi arritur në pak më shumë se 1 milion vizitorë nga Italia, ku patjetër një pjesë janë shqiptarë me pasaportë italiane, por pjesa dërrmuese janë italianë. Dhe mua më marrin më pyesin ‘si vihet, ku vihet, duam të vijmë në Shqipëri, duam të blejmë shtëpi etj’”, tha Rama.

Shaqiri konfirmoi se e njëjta gjë i ndodh përditë. “E njëjta gjë më ndodh në person të parë. Më pyesin ku të shkojmë në veri apo në jug, ku kënaqemi më shumë, ku është më lirë. Kjo situatë është ‘non stop’ sa jam lodhur një çikë dhe u them hapni Google shikoni”, tha ai.

Kryeministri vlerësoi se tashmë ka ndryshuar shumë edhe perceptimi për shqiptarët në Itali.

Për Shaqirin, shqiptarët tani janë krenarë kur tregojnë pasaportën shqiptare.

“Unë shkoj e vij çdo javë dhe ajo që shikoj në doganë është që shqiptarët janë krenarë kur nxjerrin pasaportën shqiptare. Nuk e kanë më atë kompleksin, se dikur ngushtoheshin shpatullat kur nxirrje pasaportën shqiptare. Tani madje shikoj familje shqiptare me fëmijë që ikin për fundjavë në Itali. Italianët vetë nuk shkulen nga shtëpia për punë ditësh. Tani shikoj që shqiptarë që ikin dhe vijnë për qejf, avionët janë plot”, tha Shaqiri.

Share This