Superliga e basketbollit rikthehet me derbin Peja-Sigal Prishtina
Superliga e Kosovës në basketboll, rikthehet sot me dy ndeshjet e para të javës së 12-të.
Dy rivalët e përbetuar, Peja-Sigal Prishtina do të ndeshen sërish, kësaj radhe në javën e 12-të të elitës së basketbollit tonë.
Ky është derbi i tretë për një kohë të shkurtër, ku dy skuadrat me traditë u përballën dy herë për Kupë. Në çerekfinale të Kupës, shënuan nga një fitore ndaj njëra-tjetrës, por bardhekaltrit kishin koshdallim më të mirë nga dy sfidat dhe kaluan në gjysmëfinale, ku do të ndeshen me rivalen tjetër, Trepçën.
Në elitën e basketbollit, pejanët kanë pesë fitore e gjashtë humbje, ndërsa prishtinasit gjashtë fitore e katër humbje.
Trepça – Proton Cable Prizreni, është një tjetër sfidë interesante që luhet sot. Këto dy skuadra poashtu u përballën në çerekfinale të Kupës, ku mitrovicasit fituan dy ndeshjet dhe kaluan në gjysmëfinale. Takimi do të zhvillohet sërish në Prizren. Kampionët e Kosovës janë në vendin e parë me nëntë fitore e dy humbje, kurse prizrenasit kanë tri fitore e tetë humbje.
Të dielën do të zhvillohet sfida shumë e rëndësishme ndërmjet Vëllaznimit dhe Borës. Kuqezinjtë kanë katër fitore e shtatë humbje, derisa prishtinasit dy fitore e tetë humbje, andaj pritet një sfidë mjaft interesante në Gjakovë.
Java e 12-të do të përmbyllet me takimin po ashtu mjaft interesant ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit. Therandasit kanë gjashtë fitore e pesë humbje, ndërsa prizrenasit tetë fitore e tri humbje, prandaj do të jetë një luftë deri në fund për fitore.
Superliga/Java 12
E shtunë
17:00 Peja – Sigal Prishtina
19:00 Trepça – Proton Cable Prizreni
E diel
17:00 Vëllaznimi – Bora
19:00 Bashkimi – Golden Eagle Ylli