Konjufca në fushatën kundër dhunës me bazë gjinore: Është i domosdoshëm solidarizimi i vazhdueshëm dhe angazhimi i përditshëm
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë dhe mbajti fjalë në Konferencën “Të Bashkuar Kundër Dhunës – Mjaft!”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Koordinatorja Nacionale Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore, në kuadër të fushatës globale të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Konjufca tha se kjo fushatë është dëshmi se në përpjekjet për të luftuar dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore, është i domosdoshëm solidarizimi i vazhdueshëm dhe angazhimi i përditshëm.
Dhuna gjinore sipas kreut të Kuvendit fatkeqësisht mbetet një problem i madh, dhe ndonëse janë bërë hapa domethënës për avancimin e kuadrit ligjor dhe ngritjen e ndërgjegjësimit, ende ka shumë punë për të bërë.
Kryetari Konjufca tha se nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit ekzistues, janë krijuar mekanizma të qëndrueshëm për mbrojtjen e të mbijetuarve të dhunës, ndërsa institucionet tona janë më të përgatitura tash për t’iu përgjigjur nevojave të viktimave të dhunës.
“Siç e dini, Kuvendi i Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka hartuar dhe miratuar nismën ligjore për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, dhe këtë jemi përpjekur ta harmonizojmë me Konventën e Stambollit. Ligji njeh lloje të ndryshme të dhunës, duke përfshirë lëndimin fizik, seksual, psikologjik ose ekonomik, por edhe dhunën ndaj grave në politikë, ngacmimet e ndryshme si dhe ngacmimet seksuale në internet”, theksoi kryetari Konjufca.