“Parada Shqiptare” më 28 Nëntor në Tiranë, Kambo: Mbi 10 mijë persona do jenë pjesë e festimeve

“Parada Shqiptare” më 28 Nëntor në Tiranë, Kambo: Mbi 10 mijë persona do jenë pjesë e festimeve

Më 28 Nëntor, Tirana do të vishet e gjitha kuq e zi pasi rikthehet Parada Shqiptare me mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip.

Andriola Kambo, Drejtore Ekzekutive e Unionit të Bashkive jep më shumë detaje për këtë aktivitet që bashkon të gjithë në bashkëpunim me “Albanian Roots”.

“Për të mirëpritur gati 10 mijë vetë për të qenë pjesë e këtij kremtimi, jo vetëm për Pavarësinë tonë Kombëtare, por për historinë, për identitetin, për dashurinë që duhet të kemi për vendin. Na vijnë nga të gjitha qytetet shqipfolëse. Kemi gati 150 qytete që janë pjesë e paradës”.- tha Kambo.

Sipas Kambos, pjesëmarrësit dhe grupet artistike do të nisin përgatitjet prej orës 9 me 28 Nëntor për të nisur aktivitetin e Paradës Shqiptare në orën 12 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Vijnë dhe bëhen gati kostumet, fillojnë vallet, e gjithë faza paraprake para se të fillojmë, por në orën 12 nis parada në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pastaj kemi disa momente kulminante të kësaj parade, e mbyll Tirana duke prezantuar të gjitha potencialet e saj.”

Parada Shqiptare për festat e Nëntorit synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj. /atsh/

Share This