Sveçla thotë se KFOR-i nuk lejoi që Dejan Pantiq të transferohet me helikopter privat në burg

Sveçla thotë se KFOR-i nuk lejoi që Dejan Pantiq të transferohet me helikopter privat në burg

Ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq ishte arrestuar më 10.12.2022 në pikë kalimin kufitar në Jarinje në veri të Kosovës.

Pantiq dyshohet se kishte organizuar sulmin terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Për shkak të barrikadave të vendosura në komunat veriore, Pantiq ishte e pamundur që të transferohej nga pika e kalimit kufitar e të vendosej në qendrat e paraburgimit.

Gati dy vite më vonë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në “Kallxo Përnime” është deklaruar për këtë çështje.

Ministri tregoi se ish komandanti i KFOR-it në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia nuk ia kishte lejuar Kosovës transferimin e Pantiq nga PPK Jarinje në burgun e Mitrovicës.

“Angelo Michele Ristuccia mua ma ka ndal helikopterin privat me marr Pantiqin prej Jarinjes me dërgu në burgun e Mitrovicës” – tha Sveçla.

Ai madje tha se helikopteri në fjalë ishte marr me qira nga një kompani private jashtë Kosovës, enkas për këtë punë.

Sveçla tha se kanë plane për të blerë helikopter për Policinë e Kosovës, por problemi qëndron që hapësira ajrore në Kosovë kontrollohet nga KFOR-i.

Ish policët Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq bashkë me Millun Millenkoviq i njohur si “Llune” janë ende në proces të gjykimit.

Ata më 21.08.2024 nuk e kanë pranuar fajësinë me të filluar shqyrtimi kryesor në gjykimin lidhur me aktakuzën për sulmin me granata në zyrat e KKZ-së në Mitrovicën Veriore në dhjetor të vitit 2022. /Kallxo.com

Share This