A kërcënohet Serbia nga një grusht shteti?
Autoritetet serbe arrestuan katër persona mbrëmjen së premtes, pasi dyshohen se planifikonin të shkaktonin dhunë dhe trazira gjatë një proteste që mbahet në Beograd, njoftoi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç.
“Gjithçka duket qartë nga komunikimi mes tyre” deklaroi Daçiç. Por më herët, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se shërbimet e sigurisë ruse kanë paralajmëruar se në Serbi po përgatiten trazira masive, që kanë për qëllim përfundimtar një grusht shteti dhe rrëzimin e lidershitpit të zgjedhur në mënyrë të ligjshme.
“Kemi marrë informacion zyrtar nga Federata Ruse, informacione të përcjella përmes kanaleve zyrtare. Njerëzit e specializuar po bëjnë punën e tyre. BIA është përgjegjëse. Njerëzit që përpiqen të bëjnë diçka me forcë, nuk do t’ia dalin, sepse Serbia po ecën përpara dhe asgjë nuk do ta ndalë. Ky është mesazhi im për të gjithë, njerëzit nuk duhet të shqetësohen”, tha Vuçiç.
Prej disa javësh në qytete të ndryshme të Serbisë po mbahen protesta kundër nxjerrjes së litiumit, ndërsa protesta kryesore mbahet të shtunën në Beograd, pasi përfundon afati që organizatorët e protestës i kanë dhënë Qeverisë së Serbisë për të miratuar një ligj për ndalimin e përhershëm të kërkimeve gjeologjike dhe shfrytëzimit të litiumit në Serbi. Qeveria serbe në korrik nënshkroi një “Memorandum mbi lëndët e para kritike” me Bashkimin Europian, i cili parashikon të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga nxjerrja e litiumit në Jadar deri te prodhimi i baterive për automjetet elektrike. /TVSH/