Tre të akuzuarit për komplotin e sulmeve të 11 shtatorit arrijnë marrëveshjen për pranimin e fajësisë
Tre nga personat e akuzuar për komplotin e sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA – kanë hyrë në një marrëveshje paragjyqësore, tha sot Departamenti i Mbrojtjes, sipas BBC.
Khalid Sheikh Mohammed, Walid Muhammad Salih Mubarak Bin Attash dhe Mustafa Ahmed Adam al-Hawsawi – janë mbajtur në bazën e marinës amerikane në Gjirin e Guantanamos, Kubë, prej disa vitesh pa u gjykuar.
Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura, por media amerikane tha se të akuzuarit do të pranojnë fajësinë në këmbim që prokuroria të pranojë të mos kërkojë dënimin e tyre me vdekje.
Rreth 3 000 njerëz në Nju Jork, Virxhinia dhe Pensilvani u vranë gjatë sulmeve, të cilat ndezën “Luftën kundër Terrorit” dhe pushtimet e Afganistanit dhe Irakut.
Brett Eagleson, presidenti i “9/11 Justice”, një organizatë që përfaqëson të mbijetuarit e 11 shtatorit dhe të afërmit e viktimave – tha në një deklaratë se familjet janë thellësisht të shqetësuara nga këto marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Ai tha se procesit i mungonte transparenca dhe u kërkoi autoriteteve të kërkonin më shumë informacion për rolin e Arabisë Saudite në sulmet e 11 shtatorit.
Sulmet e 11 shtatorit ishin sulmi më vdekjeprurës në tokën amerikane që nga sulmi japonez i vitit 1941 në Pearl Harbor, Hawaii, ku u vranë 2 400 njerëz.
Marrëveshja për pranimin e fajësisë u njoftua fillimisht përmes një letre dërguar nga prokurorët familjeve të viktimave.
Në njoftimin e tij, Departamenti Amrikan i Mbrojtjes tha se “termat dhe kushtet specifike të marrëveshjeve paraprake nuk ishin të disponueshme për publikun në këtë moment”.
Këta persona janë akuzuar për një sërë akuzash, duke përfshirë sulmin ndaj civilëve, vrasje në kundërshtim me ligjet e luftës, rrëmbim avioni dhe terrorizëm.
Khalid Sheikh Mohammed konsiderohet gjerësisht si arkitekti i sulmit, në të cilin rrëmbyesit kapën aeroplanët e pasagjerëve dhe i rrëzuan në Qendrën Tregtare Botërore, në Nju Jork dhe Pentagon jashtë Uashingtonit.
Një aeroplan i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani pasi pasagjerët u kundërpërgjigjën.
Mohammed, një inxhinier i shkolluar në SHBA, u kap së bashku me Hawsawi në Pakistan në mars 2003.
Prokurorët argumentuan se ai kishte hedhur idenë për rrëmbimin dhe fluturimin e avionëve në ndërtesat e SHBA-së tek lideri i Al-Kaedës, Osama Bin Laden, dhe më vonë kishte ndihmuar në rekrutimin dhe trajnimin e disa prej rrëmbyesve. /atsh