Kurti për bashkatdhetarët: Kosova ka hapur derën dhe dritaren për investime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu ka drejtuar bashkatdhetarëve që po vijnë në Kosovë për pushime, duke iu rikujtuar se Qeveria e Kosovës ka hapur edhe Dritaren për Investime të Diasporës.
“Për bashkatdhetarët tanë që po vijnë për pushime në Kosovë e që duan të kthehen në vendlindje, përveç dyerve që i kanë të hapura, nga muaji korrik kemi hapur edhe Dritaren për Investime të Diasporës. Përmes saj do të garantojmë huatë e bizneseve me pronarë nga mërgata që duan të investojnë në Kosovë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.
“Ajo është zgjidhja ndaj vështirësive që mërgata jonë ndërmarrëse ka pasur deri më tani në qasjen në financim në bankat e vendeve ku ata jetojnë, por edhe në bankat tona në mungesë të historikut kreditor. Dritarja për Investime të Diasporës u mundëson atyre që të aplikojnë për kredi deri në tre milionë euro nëpër bankat e Kosovës dhe pjesëmarrja e tyre me kapital duhet të jetë së paku 20%”, ka shkruar kryeministri.
Pas aplikimit dhe nëse përmbushen të gjitha kriteret, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të ofrojë garanci për kreditë deri në dy milionë euro, tha më tej Kurti.
“Vendi ju pret. Kosova ju mirëpret”, ka shkruar kryeministri. /rtk/