Kryesia e Kuvendit mblidhet më 1 dhjetor, në rend dite 19 pika për seancën plenare

Kryesia e Kuvendit mblidhet më 1 dhjetor, në rend dite 19 pika për seancën plenare

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës të martën, më 1 dhjetor 2026, duke filluar nga ora 13:00, në sallën C-301.

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje do të shqyrtohet propozimi i rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare, e cila përfshin gjithsej 19 pika.

Në mesin e çështjeve që pritet të trajtohen janë votimi i projektligjeve për ratifikimin e Konventës së Lubjanës-Hagës, marrëveshjeve për ekstradim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike me Francën, si dhe shqyrtimi i marrëveshjeve të kredisë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe pajisjeve mjekësore.

Po ashtu, në rend dite janë edhe projektligjet që lidhen me Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor, përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe Akademinë e Drejtësisë.

Një ndër pikat e rëndësishme është edhe rishqyrtimi i Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, i kthyer nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në rendin e propozuar të ditës është paraparë interpelanca me kryeministrin Albin Kurti lidhur me suspendimin e dialogut strategjik Kosovë-SHBA, përgjegjësinë politike të Qeverisë dhe cenimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe raportin financiar vjetor të buxhetit për vitin 2025, raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2025, si dhe raportin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për të njëjtin vit.

Në fund të mbledhjes, Kryesia do të shqyrtojë edhe propozimet dhe kërkesat.

Share This