Tetë gola dhe dramë deri në fund, Atalanta ndal Interin

Tetë gola dhe dramë deri në fund, Atalanta ndal Interin

Atalanta dhe Interi kanë ndarë pikët duke luajtur baras 4-4, të dielën mbrëma në një sfidë drithëruese, duel ky i zhvilluar në kuadër të Serie A.

Interi ishte tri herë në epërsi prej dy golash, por Atalanta tregoi karakter të jashtëzakonshëm, duke u rikthyer në lojë dhe duke shmangur humbjen në minutat e fundit.

Protagonisti kryesor te skuadra zikaltër ishte Francesco Pio Esposito, i cili realizoi tri gola dhe regjistroi hat-trickun e parë me fanellën e Interit.

Sulmuesi kaloi mysafirët në epërsi në minutën e 16-të, ndërsa para përfundimit të pjesës së parë shënoi edhe golin e dytë, duke përfituar nga një goditje nga këndi.

Megjithatë, Atalanta reagoi shpejt dhe arriti ta ngushtonte rezultatin përmes Eljif Elmasit.

Në pjesën e dytë, Esposito kompletoi hat-trickun, duke e çuar rezultatin në 1:3, por vendasit nuk u dorëzuan. Charles De Ketelaere shënoi dy herë, duke e rikthyer Atalantën në lojë.

Ndërkohë, Petar Sucic realizoi nga pika e bardhë për Interin, pasi Marcus Thuram fitoi penallti, duke e çuar rezultatin në 2:4.

Kur dukej se Interi do të largohej me fitore, De Ketelaere shënoi golin e dytë personal në minutën e 81-të, duke ngushtuar epërsinë në 3:4.

Drama kulmoi në minutën e parë të kohës shtesë, kur Franck Kessie u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke realizuar për 4:4 dhe duke i siguruar Atalantës një pikë të madhe.

Pas këtij barazimi, Atalanta ngjitet në vendin e 12-të në Serie A, ndërsa Interi mbetet në pozitën e tretë, por tashmë tri pikë larg kreut të tabelës.

Share This